A janë aftësitë gjuhësore tregues të nivelit të një aspiranti për drejtues?

 - by EridaPrifti

Në këtë proces elektoral për zgjedhjen e një rektoreje/rektori të ri për Universitetin e Vlorës, secili anëtar i stafit pedagogjik dhe administrativ ka detyrimin moral për të peshuar mirë se tek cili kandidat do të investojë votën e vet.

Për këtë, ashtu siç veprojmë përditë në mësimdhënie, duhet të dimë të përcaktojmë qartë kriteret në bazë të të cilave do të vlerësojmë kandidaturat që na janë paraqitur.

Përveç numrit të botimeve, shkallës së kualifikimeve, reputacionit të panjollosur, aftësisë për të punuar në grup, aftësisë për të bindur dhe frymëzuar njerëzit, një kriter i domosdoshëm dhe i paneglizhueshëm i çdo aspiranti për drejtues është aftësia për të komunikuar me gojë dhe me shkrim.

Ky kriter renditet i pari në çdo aplikim për vend pune, duke bërë që çdo institucion, i cili aplikon meritokracinë, të refuzojë që në kontaktin e parë një kandidat që dorëzon një kërkesë, curriculum vitae, apo dokumentacion tjetër të mbushur me gabime drejtshkrimore.

Në të vërtetë, sipas studimeve të John Stein, Profesor i Neuroshkencës në Oxford University, si të lexuarit ashtu dhe të shkruarit kërkojnë një sforcim fenomenal të neuroneve të trurit të njeriut.  Deshifrimi i një fjalie, si dhe i të gjitha formave të fjalës së shkruar është një nga aktivitetet më komplekse të trurit njerëzor.  Arsyeja për këtë është se fjala e shkruar është në fakt një shpikje e vonë në historikun e zhvillimit të njerëzimit.  Kjo do të thotë që, ndërsa gjuha e shkruar zhvillohej e bëhej përherë e më e sofistikuar, trurit të njeriut i duhej të mbante të njëjtin ritëm zhvillimi me të, duke i shtuar punës së vet për përvetësimin e metodave të komunikimit edhe sistemet e ndërlikuara të të lexuarit e të të shkruarit.

Sipas analistëve, përveç platformës dhe synimeve të tij strategjike, një nga arsyet më të forta për të cilën Presidenti Barack Obama u mirëprit me kaq entuziazëm në Shtetet e Bashkuara, citoj:

“…ishte fakti që presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara ishte i aftë të organizonte një grumbull fjalësh në fjali kuptimplote pa i ngatërruar ato… Saktësia e formulimit të ideve, qartësia e mendimeve, rregullsia e fjalive të tij…shprehnin qartë që kishim të bënim me një njeri me taban, intelekt dhe thellësi mendimi.”

(klikoni këtu për të lexuar artikullin nga i cili është marrë citimi)

Kjo cilësi e aspirantit merr më shumë rëndësi kur kandidohet për drejtues arsimi, e më tepër akoma, kur fushata zhvillohet për rektor universiteti. Një kandidat që kujdeset për mënyrën e vet të të shprehurit po aq sa kujdeset për gjërat që i thotë elektoratit të vet, u transmeton votuesve në mënyrë të nënkuptuar mesazhin që në një të ardhme ky aspirant do të tregojë kujdes për kolegët me të cilët do të punojë dhe për vendimet që do të marrë.

Fakti që një aspirant nuk është në gjendje të shkruajë një fjalë dhe nuk arrin dot të lidhë as edhe një fjali, flet shumë për aftësinë e këtij kandidati për të marrë vendime të komplikuara.  Fakti që një aspirant nuk është në gjendje të kuptojë ç’është SIUV dhe ç’është email-i, flet shumë për aftësinë e këtij kandidati për të drejtuar Universitetin e Vlorës e për të na treguar rrugën ne të gjithëve.  Fakti që një aspirant i drejtohet votuesit të vet duke e pyetur se ç’punë ka të përzihet në diskutimet e fushatës tregon sa rëndësi i vendos ai elektoratit të vet dhe sa rëndësi do të kenë kolegët për të nëse arrin të kapë atë karrige.  Për mua, një kandidat që e shumëzon me zero opinionin e votuesve të tij, e ka humbur votën.

Rezulton se fjalët e Baronit Henry Peter Brougham (1778-1868), i cili ka mbajtur pozitën e Kryerektorit në kohën e tij në Britaninë e Madhe, kanë të njëjtën vlerë edhe sot:

“Njerëzit e arsimuar janë të lehtë për t’u drejtuar, por të vështirë për t’u trajtuar si tufë;

të lehtë për t’u qeverisur, por të pamundur për t’u trajtuar si skllevër.”

No related posts.

Leave a comment

You must be connected to post a comment.