- by i heshturi
Ese Mbi Miresine
Ata që kanë patur fatin që nga dhuruesi t’u falet shpirti i mirë, gjithë jetën e jetës do të jenë të mirë.
Njeriu me shpirt të mirë, e urren të keqen me shumë guxim, dhe me shumë guxim e bën dhe e proklamon luftën e tij kundër të keqes, madje edhe në rastet kur është i pagjasë. Mirësia e ushqen atë deri në atë masë, sa është për të besuar se pikërisht ndjenja e mirësisë e mban atë në jetë. Ushqim i tij jetësor nuk është droja për veten, as nuk është droja nga të tjerët. Ushqim i tij jetësor është vetësakrifica, ajo gjëja e paprovuar, që i mundëson ta ndjejë atë si një mëkat të ëmbël. Ky mëkat i ëmbël është për te si molla e ndaluar e parajsës, shijen e së cilës s’mund ta shijojë çdokush.
Njeriu i mirë është ekzemplar i rallë. Atë s’e takon dot. Madje, edhe po ta takosh, e ke shumë të vështirë ta dallosh, sepse është aq i natyrshëm në jetë, sa s’e dallon dot.
Njeriun e mirë e përshkon modestia. Ai nuk flet kot së koti. Nuk shqetësohet nga rregullsia, dhe në çaste rregullsie është si qengji: i butë dhe i dëgjueshëm. Ai del në dukshmëri vetëm në raste të veçanta, në raste rreziqesh të mëdha, në raste havarishë. Del krejt i vetmuar, dhe shkel me shumë guxim mbi tokën e ndaluar. Është pikërisht toka e ndaluar, ajo që e prodhon hormonin e gjallërimit tek ai. Uji i kulluar që rrjedh mbi tokën e ndaluar, është burim jete për te. Dielli që e ngroh atë tokë, është shpresë jete për te.
Por, njeriu i mirë ka një mangësi tmerruese: nuk di gjë për vyrtytin e vet. Është pikërisht kjo mangësi, ajo që e bën të jetë kokëulur, modest, dhe t’u besojë nganjëherë edhe njerëzve më shpirtligë, ndaj ka rrezik që vyrtyti i dëlirësisë së tij të keqpërdoret në masë të madhe nga të ligët, të cilët nuk kanë mision tjetër përpos së keqes.
Popujt që synojnë lirinë e mirësisë dhe mirësinë e lirisë, duhet të shndërrohen në parajsë për njeriun e mirë, dhe në ferr të vërtetë për ngulmuesit e së keqes.
Liria e sendërtuar dhe e përkujdesur nga njeriu i mirë është liria vërtetësore.
Liria e përkujdesur nga ngulmuesit e së keqes është liria që vret.
Zoti na shpëtoftë nga një liri e tillë
No related posts.