Mendim per ndryshime ne VKM #2

 - by vlora

Your browser may not support display of this image.

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KËSHILLI I MINISTRAVE

________________________________________________________

P R O J E K T V E N D I M

Nr._______, datë_______ 2009

P Ë R

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 467, DATË 18. 07. 2007, “PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE DHE PROCEDURAVE PËR KUALIFIKIMIN, SHKENCOR E PEDAGOGJIK, TË PERSONELIT AKADEMIK”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 47 të ligjit nr. 9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në Vendimin e Këshillit  të Ministrave nr. 467, datë 18. 07. 2007, “Për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për kualifikimin, shkencor e pedagogjik, të personelit akademik”, pas Kreut II, shtohet Kreu II/1, si mëposhtë vijon:

    Kreu II/1
    2/1.1 Promovimi i përshpejtuar për titullin “Prof. Asoc.”
  1. Kandidatët që kanë gradën shkencore “Doktor” dhe kanë botuar, përveç doktoraturës,si autor i parë ose i dytë, së paku 5 artikuj shkencor në revista të huaja, me faktor impakti mbi 1.0, kanë të drejtë t’i paraqesin rektorit të Institucionit të Arsimit të Lartë, që gëzon të drejtën e promovimit për titullin “Prof. Asoc.”, kërkesë për marrjen e titullit “Prof. Asoc.”. Kërkesa shoqërohet me dy referenca/rekomandime nga profesorë të vendit ose të huaj, që vlerësojnë se vëllimi dhe cilësia e punimeve shkencore të përfunduara me botimet e sipërpërmendura, plotësojnë kushtet për e promovimin e përshpejtuar të kandidatit për titullin “Prof.Asoc.”. Në rastet kur aplikuesi nuk është autor i parë në ndonjë artikull shkencor të paraqitur në listën e botimeve, një nga rekomanduesit duhet të jetë bashkëautor i artikullit në fjalë, me gradë shkencore “Doktor”, i cili shprehet për kontributin e kandidatit në artikullin  e paraqitur në listën e botimeve.
  2. Rektori i Institucionit të Arsimit të Lartë, brenda një muaji nga marrja e kërkesës së kandidatit, nxjerr urdhër  për krijimin e Komisionit të Vlerësimit.
  3. Komisioni i Vlerësimit, brenda 2 muajve, realizon të gjithë procedurën e vlerësimit të parashikuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 467, datë 18. 07. 2007.
  4. Kandidatët që nuk janë në marrëdhënie pune në një Institucion të Arsimit të Lartë, i dërgojnë kërkesë rektorit të një Institucioni të Arsimit të Lartë që gëzon të drejtën e promovimit për titullin “Prof. Asoc.”, në fushën ku është kryer kërkimi shkencor dhe janë realizuar botimet.
    2/1.2 Promovimi i përshpejtuar për titullin “Prof.”
  1. Kandidatët që kanë gradën shkencore “Doktor” dhe kanë botuar, përveç doktoraturës,si autor i parë ose i dytë, së paku 10 artikuj shkencor në revista të huaja, me faktor impakti mbi 1.0 dhe kanë së paku 3 vjet eksperiencë pune si lektor në shkolla të larta/universitete, brenda ose jashtë vendit, kanë të drejtë t’i paraqesin rektorit të Institucionit të Arsimit të Lartë që gëzon të drejtën e promovimit për titullin “Prof.”, kërkesë për marrjen e titullit “Prof.”. Kërkesa shoqërohet me dy referenca/rekomandime nga profesorë të vendit ose të huaj, që vlerësojnë se vëllimi dhe cilësia e punimeve shkencore të përfunduara me botimet e sipërpërmendura, plotësojnë kushtet për promovimin e përshpejtuar të kandidatit për titullin “Prof.” dhe i kërkojnë rektorit t’i propozojë Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademik (KVTA), përbërjen e Komisionit të Vlerësimit. Në rastet kur aplikuesi nuk është autor i parë në ndonjë artikull shkencor të paraqitur në listën e botimeve, një nga rekomanduesit duhet të jetë bashkëautor i artikullit në fjalë, me gradë shkencore “Doktor”, i cili shprehet për kontributin e kandidatit në artikullin  e paraqitur në listën e botimeve.
  2. Rektori i Institucionit të Arsimit të Lartë, brenda një muaji nga marrja e kërkesës së kandidatit, i propozon Kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademik (KVTA),Komisionin e Vlerësimit.
  3. Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademik, shqyrton brenda një muaji, propozimin e rektorit, miraton Komisionin Vlerësues dhe merr vendim për fillimin e vlerësimit pedagogjik të kandidatit.
  4. Komisioni i Vlerësimit, brenda dy muajve, realizon të gjithë procedurën e vlerësimit të parashikuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 467, datë 18. 07. 2007.
  5. Kandidatët që nuk janë në marrëdhënie pune në një Institucion të Arsimit të Lartë, i dërgojnë kërkesë rektorit të një Institucioni të Arsimit të Lartë që gëzon të drejtën e promovimit për titullin “Prof.”, në fushën ku është kryer kërkimi shkencor dhe janë realizuar botimet.
II. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës  dhe Institucionet e Arsimit të Lartë, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

SALI BERISHA

No related posts.

Leave a comment

You must be connected to post a comment.